Grupi i punës që mazhoranca dhe opozita kanë ngritur pranë Komisionit të Ligjeve për të diskutuar reforma të rëndësishme kanë vendosur sot për hapat e parë që nevojiten për ndryshimet në Reformën Zgjedhore. Mbledhjen e ka ndjekur nga afër gazetarja Elja Zotka e cila na solli detaje gjatë një lidhjeje live për edicionin informativ në Tv Klan.

Ajo u shpreh se kjo mbledhje është e dyta dhe fokusin do ta ketë tek ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe do të kalojnë në harkun e 1 viti në parlamentin e Shqipërisë. Fokusi kryesor është Reforma Zgjedhore.

“Pak a shumë grupi i punës i ngritur pranë Komisionit të Ligjeve po ndjek të njëjtin rrugëtim që ka ndjekur edhe komisioni i bipartizan të cilit i përfundoi mandati në mesin e muajit Mars pa ndonjë produkt konkret”, raportoi gazetarja.

Këtë të premte u vendos për ekspertët që do të asistojnë dy palët politike.

“Është Silva Caka nga Partia e Lirisë, Viktor Gumi dhe Eridian Salianji nga PS dhe për PD do të jetë eksperti Ivi Kaso”, raportoi Zotka.

Ajo theksoi se u vendos që kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla t’i drejtohet zyrtarisht përfaqësisë së OSBE-ODIHR që të kenë ekspertët e tyre pranë këtij grupi pune për të dhënë propozimet konkrete se si mund të amendohet ligji elektoral. Mbledhja e radhës do të jetë ditën e enjte dhe ekspertët pritet të sjellin një plan pune.

Pas takimit pati një deklaratë të përfaqësuesve të opozitës. Oerd Bylykbashi tha se u bë një inventar i të gjitha ligjeve që do të kalojnë në këtë grup pune.

“Ai dha edhe qëndrimin e forcës që përfaqëson për reformën zgjedhore. Pak a shumë sipas Bylykbashit, demokratët kërkojnë ndërhyrje në sistem, por sigurisht bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas opozitës është mirë që të shkohet drejt një votimi të detyruar siç e kanë disa vende të rajonit si Greqia fqinje, apo edhe Belgjika. Sipas tyre duhet të ketë lista të hapura. Sipas tij duhet të shkohet sërish në marrëveshjen e 5 Qershorit 2020 që në atë kohë nuk u arrit të finalizohej drafti që u dakordësua për muaj e muaj me radhë edhe me ndërhyrjen e SHBA-së”, tha gazetarja./tvklan.al