Socialistët kanë hedhur poshtë me kartonat e tyre propozimin e liderit demokrat Sali Berisha që ju mundësonte emigrantëve të votonin edhe me dokumente të huaja biometrike.
Për Bylykbashin, janë 600 mijë shtetas shqiptarë pa dokument identifikimi të vlefshëm ndërkohë që 150 mijë shtetas nuk kanë asnjë lloj dokumenti identifikimi.
Oerd Bylykbashi: Teknikisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në gjendje që të…, pra sistemi i tij të njoh një dokument biometrik, pra duke bërë ndërhyrjet e nevojshme teknike, pra një dokument biometrik të një shteti tjetër.
Ilirjan Celibashi: Sistemi që kemi ndërtuar ne sot, nuk e parashikon këtë si opsion. Do të duhet ose të zhvillohet ose të ndërtohet një sistem tjetër, që nuk preferoj të them e bëjmë apo nuk e bëjmë dot sepse sikur e imponoj Kuvendin e Shqipërisë që të marrë apo mos ta marrë këtë vendim.
Gjiknuri tha se edhe në aktet normative është parashikuar që të jenë dokumentet shqiptare.
Damian Gjiknuri: Me ligjin shqiptar shtetasi voton me dokumente shqiptare.
PD propozoi po ashtu edhe ndarjen e barabartë të kohës në radio apo televizionet private për kandidatët që janë në lista të hapura.
Gjithashtu është miratuar numërimi i votës së diasporës me komisionerë partiakë. Me votat e mazhorancës kaloi dhe propozimi për afrimin e afateve për listën e kandidatëve për deputet, ndërsa PD votoi kundër.
Me ndryshimet ligjore të propozuara, shpenzimet për pagesën e postës për votën e diasporës si në dërgimin nëpër botë të fletës së votimit dhe për kthimin e saj në Shqipëri do të paguhen nga qeveria shqiptare.
Partitë politike me ndryshimet e propozuara mund të grumbullojnë fonde sa 5-fishi i lekëve që u jep shteti për fushatë.
Këto ndryshime në Kodin Zgjedhor do të hidhen për votim të enjten në seancë plenare. Per miratimin e tyre socialistëve në pushtet ju duhen të paktën 84 vota.
Klan News