Socialistët hodhën poshtë propozimin e opozitës për t’i mundësuar emigrantëve shqiptarë të votojnë me dokumentet biometrike të identifikimit të shtetit ku ata jetojnë.

Pikërisht ky propozim i opozitës, ishte edhe pika më e debatueshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Demokrati Oerd Bylykbashi dha arsyet se pse propozimi i tyre është i domosdoshëm dhe çdo pengesë sipas tij është jashtë skemës së patronazhimit të PS-së.

Oerd Bylykbashi: Jane rreth 600 mijë shtetas emigrantë pa dokument identifikimi të vlefshëm, rezulton se rreth 150 mijë shtetas. Numri i personave që do të pengohen në të drejtën e tyre kushtetuese është i jashtëzakonshëm. Janë vota për 1 mandat në secilin qark.

Por socialisti Damian Gjiknuri e hodh poshtë këtë propozim të opozitës.

Damian Gjiknuri: Ligji Zgjedhor e ka përcaktuar qartë ‘shtetasi shtetas që disponon dokument të vlefshëm’. Nuk kemi pse ta vrasim sistemin, e ka integritetin e zgjedhjeve.

Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndërkohë me konsensus propozimin që shpenzimet për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit tek votuesit nëpërmjet postës do të paguhen nga buxheti i shtetit.  Dakordësi pati edhe te numërimi me anë të një komisioni partiak të votave të diasporës.

Teksa vetëm me votat e mazhorancës kaloi dhe propozimi për afrimin e afateve për listën e kandidatëve për deputet në 60 ditë dhe subjektet nga 70 ditë në 75 ditë. Ndersa për koalicionet, afati shkoi në 70 ditë nga 60 që ishte.

Partitë politike me ndryshimet e propozuara mund të grumbullojnë fonde sa 5-fishi i Lekëve që u jep shteti për fushatë. Ndryshimet e reja te Kodit Zgjedhor do të hidhen për votim të enjten në seancë plenare. Për miratimin e tyre, socialistëve në pushtet ju duhen të paktën 84 vota.

Tv Klan