Kryetari i grupimit “Dhjetor ‘90”, Bislim Ahmetaj, përshëndeti kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe koalicionin e tij për fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 Qershorit.

Duke kritikuar Partinë Socialiste Ahmetaj tha se koalicioni PD-LSI është vendimi i duhur, i cili do ta shpjerë vendin drejt integrimit evropian.

Bislim Ahmetaj: “Në emër të grupimit “Dhjetor ‘90” shfrytëzoj rastin të përshëndes dhe të uroj kryeministrin e Shqipërisë, njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Berisha, për fitoren e zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009. Politika e re e Ramës as majtas, as djathtas udhëhequr prej Ruçit dhe Islamit e gjendur në rrugë të madhe dhe një humbje të pashpresë po i vazhdon përpjekjet e zeza për ta futur vendin në një spirale krize të pafund. Këtë spirale krize, këtë skenar destabiliteti e ndali përgjigja e shpejtë, e guximshme dhe krejtësisht e kthjellët e kryetarit të LSI-së, zotit Ilir Meta, të cilin shfrytëzoj rastin ta përshëndes dhe ta uroj për atë vendimmarrje të sigurt dhe jam i sigurt që më së shumti kjo vendimmarrje e tij do t’i shërbejë Shqipërisë, integrimit të saj në Bashkimin Evropian”.

Mesazhe për koalicionin e ri integrues PD-LSI, i kane ardhur kryeministrit Berisha edhe nga një numër shoqatash dhe forumesh qytetare brenda dhe jashtë vendit./tvklan.al