Pep Guardiola ka vendosur që të rinovojë edhe për një tjetër sezon me Manchester City. Trajneri spanjoll ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit anglez për të qëndruar në stol për 1 dekadë.

Guardiola mori drejtimin e Citysens në vitin 2016 dhe i udhëhoqi ata në fitimin e 6 titujve të Premier Ligës.

Katalanasi edhe në dy herët e mëparshme e kishte vazhduar kontratën me City pikërisht në muajin nëntor gjatë pushimit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare.

Nën drejtimin e tij, City u bë ekipi i parë që e fitoi katër herë radhazi Premier League. Në vitin 2023, skuadra bëri historinë, duke fituar tripletë e duke bërë të sajat Premier Ligën, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, gjë të cilën e kishte arritur vetëm Manchester United në vitin 1999.

Në të njëjtin vit, City fitoi edhe Botërorin e Klubeve dhe Superkupën e Evropës.

Sipas britanikes “The Guardian”, kontrata e re njëvjeçare nuk përmban një klauzolë largimi, nëse klubi bie nga kategoria, si edhe nëse shpallet fajtor për shkelje të rregullores financiare kur vendimi të merret përpara një komisioni të pavarur.

Klubi po mbrohet kundër më shumë se 100 akuzave të ngritura nga Premier League. Citysens mohojnë të kenë thyer rregullat financiare, por nëse shpallet fajtor, penaliteti më i mundshëm është rënia nga kategoria.

Klan News