Në Angli shpresojnë te dënimi i Manchester Cityt. Sipas asaj që raportohet nga mediat vendase, katër prej rivalëve kryesore të tyre janë gati të kërkojnë dëmshpërblim nëse anglezët dënohen për mbi 115 shkeljet e rregullave financiare.
Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham kanë bërë hapat e parë zyrtarë për të përfituar përmes arbitrazhit. Akuzat kundër Cityt janë ende duke u hetuar nga një komision i pavarur rregullator, me një vendim që pritet në vitin 2025.
Nëse akuzat kundër tyre konfirmohen, klubet mund të kërkojnë kompensim për humbjen e të ardhurave që rezultojnë nga dështimi për të fituar kampionatin, dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve ose kompeticionet e tjera evropiane në disa sezone, që arrin në qindra miliona Euro humbje.
Sipas rregullave të Premier League, klubet nuk mund të padisin njëri-tjetrin në gjykata, por mund ta bëjnë këtë përmes arbitrazhit. Pesë klube kishin bërë kërkesa për kompensim kur Everton u gjobit për shkeljen e rregullave të përfitueshmërisë dhe qëndrueshmërisë sezonin e kaluar.
Chelsea është klubi i madh që mungon në këtë mes, pasi londinezët janë vetë të përfshirë në një hetim të Premier League për pagesa të parregullta që datojnë në epokën e Roman Abramovich.
Klan News