Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zv/kryeministri Hajredin Kuqi tha se luftimi i korrupsionit është prioritet mbi prioritetet. Deklaratat e zv/kryeministrit vijnë pasi që mediat e Prishtinës publikuan ekstrakte nga raporti i fundit i komisionit evropian, ku konstatohet se dhe më tutje Kosova përballet me shkallë të lartë të korrupsionit.
Hajredin Kuqi: ”E di që është bërë një zhurmë e madhe. Besoj që se keni lexuar as ju e as ne. Kemi marrë informacione. Me datën 5 Nëntor do të publikohet në orën 11:30 nga zoti Olli Rehn, në orën 13:00, 14:00 kështu me radhë do t’i dorëzohet presidentit dhe kryeministrit. Atë raport do ta shqyrtojmë me shumë kujdes. Prioritetet e Kosovës janë të 100%-ta me ato që kërkohen nga komisioni evropian dhe nga unioni evropian e ne do ta përmirësojmë çdo gjë që është e mundshme. Në kuadër të kapaciteteve tona do të kërkojmë ndihmën ndërkombëtare, ndërsa lufta permanente po e them për korrupsionin, krimin e organizuar, çdo lloj krimi tjetër duhet të jetë prioritet i prioriteteve për Kosovën”.
Ndryshe në mbledhjen e sotshme të qeverisë kryeministri Hashim Thaçi ka folur edhe rreth shtrirjes së misionit të EULEX-it.
Sipas tij ky mision duhet të shtrihet në tërë Kosovën dhe jo vetëm në një pjesë të saj./tvklan.al