Dy segmente të rëndësishme për shtetin e Kosovës po protestojnë, megjithatë qeveria nuk e pa të arsyeshme të diskutojë për to në mbledhjen e së enjtes.

Thaçi e përmendi, ndërsa zv/kryeministri Hajredin Kuqi tha se është folur për këtë çështje por në kuptim jo formal, mirëpo ai nuk premtoi plotësim të kërkesave por vetëm tha se do të gjendet një zgjidhje.

Hajredin Kuqi: “Do ta shikojmë gjendjen se si është në mënyrë reale, si ka ndryshuar gjendja në kuptimin pozitiv me pagat e tyre, po ne do të jemi në gjendje që ta bëjmë një zgjidhje, por besoj do të kemi mirëkuptim edhe nga ana e policisë”.

Kuqi tha se qeveria do të veprojë sipas mundësive buxhetore.

Hajredin Kuqi: “Të gjithë e dimë që po jetojmë në Kosovë, në një vend me buxhet të kufizuar, me një vend me numër të madh të të papunëve dhe me mundësi të cilat buxheti nuk I lejon shumë, por nëse marrim ndryshimet kanë qenë ndryshime ndoshta më shumë  sesa që I thoni ju, por do t’i shqyrtojmë mundësitë. Nuk mund të jep ndonjë premtim konkret”.

I pyetur sesi mundësitë buxhetore për të ngritur pagat e deputetëve dhe zyrtarëve të qeverisë ekzistojnë, ndërsa për policët dhe shëndetësinë jo, Kuqi pati një përgjigje interesante.

Hajredin Kuqi: “Unë mendoj që krahasimet edhe në shkencë, edhe kudo tjetër bëhen mes llojeve të njëjta. Të kisha dasht që të mos i marrim tash në kuptimin e viktimizimit dikënd, mes privilegjimit me dikënd. Secili do ta ketë…sipas kontributit dhe meritave”.

Njeriu i dytë i qeverisë tha se do të mbahen takime me përfaqësuesit e policëve dhe punëtorëve të shëndetësisë në mënyrë që të gjendjet një zgjidhje sa më e mirë./tvklan.al