Çdo vendim që merret pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës do të jetë inekzistent, e kjo vlen edhe për EULEX-in.

Kështu tha për Klan Kosova zv/kryeministri Hajredin Kuqi pas takimit që kreu i qeverisë së shtetit pati me shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon, larg syve të mediave dhe Peter Faith, përfaqësuesin civil ndërkombëtar.

Por duket se as kësaj radhe nuk është arritur ndonjë marrëveshje rreth vendimit të EULEX-it për nënshkrimin e marrëveshjes dhe protokollit me Serbinë. Kuqi duket të jetë i prerë në deklaratën e tij.

Hajredin Kuqi: “Logjika ime juridike dhe politike thotë që jo që nuk guxojnë e nuk munden, por që nuk duhet dhe nuk kanë të drejtë. Do të thotë unë jam shumë i bindur që ata nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë dhe besoj që nuk do ta bëjnë.”

Numri dy i qeverisë tha se çdo mision i huaj në vend duhet ta kuptoj se Kosova tashmë është shtet dhe ka sovranitetin e vet.

Hajredin Kuqi: “Raportet qeveri-EULEX nuk janë të tensionuara, po punojmë vazhdimisht për rendin e ligjit në Kosovë, po punojmë që të bëjmë zgjidhje më të mirë, që e respekton sovranitetin e republikës dhe  aktet juridike që janë në fuqi në vendin tonë.”

Ndërsa zëdhënësja e EULEX-it Karin Limdal nuk ka dhënë shumë detaje rreth takimit. Përmes një komunikate, ajo tha se EULEX është në konsulta me qeverinë e Kosovës në përpjekje për të gjetur gjuhë të përbashkët./tvklan.al