Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Hapësira detare e Republikën e Shqipërisë përbëhet nga një sipërfaqe pothuajse sa ajo e territorit tokësor. Shpesh kjo hapësirë është përdorur nga krimi me qëllim trafikun, duke qenë një kufi i hapur për Europën. Ndërsa nga Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko dhe Ministri i Rendit Luan Rama, dikur dhe ai Ministër Mbrojtje, kanë referuar përpara përfaqësuesve të Marinës sonë, se si kjo hapësirë detare duhet të kontrollohet nga autoriteti shtetëror, si një kusht për integrimin në strukturat euroatlantike.
Pandeli Majko:- “Ministria e Mbrojtjes është duke lëvizur në drejtimin e duhur për të siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për rojën bregdetare, si duke shfrytëzuar buxhetin e shtetit, ashtu edhe nëpërmjet bashkëpunimit me vendet partnere anëtarë të NATO-s etj. Është e nevojshme që të punohet paralelisht dhe për kualifikimin e personelit, pajisjen e rojës bregdetare me mjetet e nevojshme për specifikat e veprimtarisë së saj, që do të bënin atë, një autoritet të padiskutueshëm në zbatimin e ligjshmërisë në hapësirën detare”.
Menaxhimi i mirë i hapësirës detare lidhet dhe me përfundimin e një kodi detar dhe për këtë është ngritur dhe një grup pune ndërministror./tvklan.al