Në Berlin ka hapur zyrtarisht dyert Panairi më i madh ndërkombëtar në botë i turizmit, ku Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit”. I pranishëm në ceremoninë e çeljes është Kryeministri Edi Rama i cili theksoi se Shqipëria, është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë.
“Do ishte vështirë të përfytyrohej për ne pak vite më parë pjesmarrja ne kete aktivitet. Gazeta BILD jo shumë larg në të shkuarën, rezervonte artikuj jo fort të këndshëm, por tashmë Bild shkruan se: Shqipëria nuk është më destinacion i panjohur, por pritet të bëhet diell i nxehtë për ata që duan diellin e plazhin në 2025. Bazuar në kartën e turizmit të OKB, deri më tani Shqipëria është vendi me rritjen më të shpejt si destinacion turistik në botë, po kështu kemi dhe aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë deri më tani”, u shpreh Edi Rama.
Rama i rikujtoi audiencës kohën e diktaturës.
“Ishim Koreja e veriut e Evropës. Aeroporti ynë kishte vetëm pak mijëra udhëtarë në vit që duhej të ishin marksist-leninist që të hynin në vendin tonë. Ne ishim të izoluar nga Europa, Perëndimi dhe Lindja. Në vitin 2024 ishin mbi 11 milionë udhëtarë që kanë kaluar nga ky aeroport, duke tejkaluar shifrat e atit te Beogradit, që njihet si aeroporti më i madh tipik në rajon. Për disa vite mbetemi në 3-shen kryesore në kartën e organizatës kombëtare të turizmit. Ne s’kishim as kupën botërore, e as Mekën”, tha Rama.
Rama përmendi edhe shifrat në rritje të turistëve gjermanë: Nga rreth 120 mijë disa vite më parë, në 374 mijë vitin e kaluar.
“Ne jemi mjaft ambiciozë për të marrë gjithnjë e më shumë turistë gjermanë”, u shpreh Rama.
Klan News