Veliaj: Viti i pandemisë na bëri të reflektojmë për jetën e shëndetin
Dëshira e Ajrit dhe Stinës për të mbjellë pemë me rastin e ditëlindjeve të tyre shënoi hapjen e sezonit të ri të mbjelljeve për vitin 2021. Nën shoqërinë e kryebashkiakut të Tiranës, vajzat e aktorëve të njohur, Eni Jani dhe Genc Fuga, i shtuan Parkut të Liqenit 2 pemë ulliri. Nën shembullin e tyre, Veliaj ftoi çdo familje që t’i bashkohet stinës së mbjelljeve për të rritur cilësinë e jetesës në kryeqytet.
“Është më kollaj të ankohesh e më e vështirë të japësh kontributin tek vetja. I ftoj të gjitha familjet e Tiranës, që ashtu siç po bëjmë me familjen Fuga, me Gencin dhe Enin, nëse kanë dikë për të përkujtuar, një ditëlindje, një përvjetor, kjo është mënyra ideale për të lënë gjurmë në qytet. Ta kthejmë këtë vit, jo si një vit që harrojmë kiametet e 2020-ës, pandeminë dhe tërmetin, por si një vit ku mund të ndryshojmë sjelljen dhe mënyrën se si e trajtojmë qytetin tonë”.
Veliaj tha se viti i vështirë i pandemisë ishte një moment reflektimi për jetën e shëndetshme, për të cilin duhet kontributi i të gjithëve.
Tv Klan