Është tuneli më i gjatë në Shqipëri prej 5.9 kilometrash.
Për të shijuar bukurinë e bregdetit jonian nga Dukati, ku është hyrja e tunelit, deri në fshatin Palasë do të duhen vetëm 10 minuta nga 40 minuta që nevojiteshin për të përshkuar kthesat e Llogarasë. Falë tunelit e gjithë distanca nga Tirana në Dhërmi do të na marrë vetëm 1 orë e 45 minuta.
Pjesë e ceremonisë inaguruese ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Turizmit, por dhe deputetë e funksionarë të zonës, të cilët u pritën në hyrje të tunelit me dedikime nga grupi polifonik i lumit të Vlorës.
Tuneli konsiderohet si një ndër veprat më të mëdha publike dhe pritet të ketë impakt të drejtpërdrejte në turizmin dhe ekonominë e vendit. Për zv.kryeministren Belinda Balluku tuneli do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në pikun e sezonit.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: Tuneli që kemi në krahun tonë të djathtë është tuneli i emergjencës quhet, por për të qenë emergjent duhet të ishte shumë i vogël në kushte teknike, duke patur parasysh që këtu në dekadën e ardhshme do të ketë zhvillime shumë të mëdha turistike. Kemi vendosur që ai të gërmohet njësoj në të njëjtën madhësi me këtë tunel, por ama do të fortifikohet kur të duhet për t’u përdorur.
Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë për këtë vepër, teksa shtoi se këtë tunel e kanë premtuar të tërë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Tunelin e kanë premtuar të gjithë. Aeroportin e Vlorës e kanë premtuar të gjithë.
Qytetarët vlonjatë nuk harruan të surprizonin kryeministrin Rama për ditëlindjen e tij.
Drejtuesit e mjeteve vlerësojnë investimin.
“Kush kërkon shpejtësinë do të jetë një zgjidhje shumë e mirë. Kush kërkon natyrën mund që t’i bjerë nga Llogaraja,” tha një qytetar.
Tuneli do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë sezonit turistik teksa në përfundim të tij do të mbyllet për të vijuar me fazën e fundit të punimeve në vjeshtë. Këtë vit do të jetë pa pagesë. Në 2025-ën shoferët do të të duhet të paguajnë tarifën prej 5 eurosh.
Klan News