Brenda pak ditësh pritet të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, që sipas zv/Kryeministres Belinda Balluku ka marrë ekspertizën e BE-së dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, për shkak se në të njëjtin basen do të ndërtohen edhe bazat detare të NATO-s.
Brenda tre vitesh buxheti i shtetit do të japë afro 385 milionë Euro për ndërtimin e këtij porti.
“Vetëm pas pak ditësh do të fillojmë garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, port komercial sipas kritereve dhe operimeve të BE që e bën të veçantë sepse ne do ndërtojmë në të njëjtin basen edhe bazat detare të NATO-s”.
Deklaratat, zv/Kryeministrja Balluku i bëri nga baza e Pashalimanit, ku mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 4 polumbarëve dhe tre drejtuesve të mjeteve detare që do t’i shtohen patrullës së Portit të Durrësit, në kuadër të sigurisë portuale.
Tv Klan