“Dosje nuk ka”, ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi zbardh një tjetër fakt me të cilin do të përballet politika, në rast se e ka seriozisht përpjekjen për identifikimin e ish-spiunëve. Sipas Klosit ajo çfarë mund të gjendet në arkiva janë emrat e ish-bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret gjatë kohës së komunizmit, por informacioni mbi shkallën e përfshirjes së gjithsecilit është zhdukur.
Fatos Klosi: “Kanë qenë dy vepra penale që ndiqeshin nga sigurimi i shtetit agjitacion propaganda dhe tentativa e arratisjes. Të dy këto vepra penale ndiqeshin nga sigurimi i shtetit dhe këto vepra penale, kur u hoqën nga kodi penal i Shqipërisë u vendos që të gjitha dosjet që lidheshin më këto dy probleme të asgjësoheshin se ishin të pavlefshme, u quajtën të paktën të pavlefshme. Pra tani nga kjo fushë ku janë shumica nga e cila duheshin dënuar kanë mbetur vetëm regjistrat e bashkëpunëtorëve dhe nuk ka mbetur asgjë qe thotë çfarë ka bërë ky bashkëpunëtor. Sa aktiv ka qenë sa njerëz ka marrë në qafë e më the të thash që të arrish ta dënosh.”
Një gjë e tillë duhet të kishte ndodhur kohë më parë thotë Klosi. Çdo tentativë për rihapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret, është sipas tij qëllimi i pastër politik që do të rezultojë në bllok.
Fatos Klosi: “Në qoftë se kjo do ishte bërë dhe duhej të ishte bërë ndoshta, do bëhej në ’92. Atëherë të hapeshin se ishin dosje ato që kishin mbetur të hapeshin të shikoheshin secili çfarë ka bërë. Por atëherë u konsiderua që nuk ishte koha se mund të krijoheshin probleme. Tani akoma më shumë nuk është koha, ka kaluar shumë kohë. Unë e di s’kanë për të gjetur asgjë.”
Prej dy vitesh projektligjet e tre forcave politike ndodhen në sirtarët e Kuvendit pa u marrë asnjëherë në shqyrtim. Çështja rikthehet sërish, pasi kryetarja e Kuvendit i kërkon komisionit të ligjeve të sjellë ligjin e spiunëve sa më shpejtë për votim në seancë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi