Simaku: Ngarkesa në spitale, për shkak të virozave stinore
Për specialistët e Institutit të Shëndetit Publik situata e Covid–19 në Shqipëri është e qëndrueshme, por me hapjen e shkollave ka një rritje të lehtë të infektimeve në moshat e reja. Ndërsa rritjen e numrit të shtrimeve në spitale e shohin të lidhur edhe me viruset stinore.
“Mosha kryesore e prekur është mosha e tretë, pra mosha mbi 65 vjeç, por edhe mosha nga 40 deri 60 vjeç rezultojnë të prekura. Me hapjen e shkollave është vënë re një numër i vogël i prekjes nga virusi edhe i moshave të reja, por që theksojmë që këto mosha e kalojnë shumë lehtë ose pa shenja fare”, thotë epidemiologu Artan Simaku.
Epidemiologët këshillojnë vaksinimin kundër gripit, që sipas tyre ndihmon në mënyrë direkte dhe indirekte luftën kundër Covid–19.
“Ulet mundësia që të prekesh njëherësh nga Covid dhe nga gripi edhe pse kjo nuk është shumë e shpeshtë. Do të pakësohet ngarkesa e spitaleve me pacientë, do të ulet numri i pacientëve që kanë nevojë për shtrime në spitale, në terapi intensive dhe në intubim”, shprehet Simaku.
Vatrat familjare dhe institucionet vijojnë të jenë mjediset kryesore të përhapjes së virusit Covid, për shkak të kontakteve të ngushta dhe qëndrimit për një kohë të gjatë në një ambient të mbyllur.
Tv Klan