Shqipëria është gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Pas përfundimit të konferencës treditore të ambasadorëve, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se kanë nisur përgatitjet që Konferenca Ndërqeveritare të mbahet në fund të muajit Shtator.
Hasani tha se Shqipëria dhe Greqia janë në rrugën e duhur të marrëdhënieve diplomate dhe se debatet politike nuk duhet të bëhen pengesë për integrimin e vendit.
“Vlerësojmë maksimalisht fqinjët tanë direkt që janë Greqia, Italia dhe Turqia. I vura në rend alfabetik. Ky është fokusi i punës që do të kemi në rajonin e menjëhershëm. Mos të harrojmë sa shumë ka ndodhur dhe është bërë midis Shqipërisë dhe Greqisë, sa shumë ka ndodhur dhe është bërë midis dy vendeve tona, me momente të vështira dhe momente shumë të mira, por padyshim që dy popujt janë shumë afër dhe do vazhdojnë të jenë shumë afër dhe rrugëtimin e Shqipërisë ne padyshim e shohim edhe me mbështetjen e Greqisë dhe kjo është një nga gjërat evidente dhe nuk ka pse ta përsëris në mënyrë të vazhduar”, tha Hasani.
Ministri i Jashtëm u shpreh i pakënaqur me përfaqësimin e Kosovës në konferencën e ambasadorëve, ndërsa tha se të hënën do të takohet me homologen e tij të Kosovës në Lubjanë.
Hasani foli dhe për risitë në ministrinë që ai drejton, që nga propozimi për ligjin për shërbimin e jashtëm deri te krijimi i një drejtorie të re për koordinimin e shqiptareve në rajon.
Ministri i Jashtëm theksoi se Shqipëria tashmë ka nisur përgatitjet për mbajtjen në Tiranë të mbledhjes së politikës europiane në vitin 2025 dhe të samitit të NATOS- në vitin 2027.
Klan News