Helmohen 12 nxënës të gjimnazit “Ismail Qemali”. Gjimnazistët janë paraqitur në shërbimin infektiv gjatë fundjavës me të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë.
Sipas mjekëve të këtij spitali aktualisht gjenden të shtruar vetëm pesë gjimnazistë, ndërsa të tjerët janë dërguar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Najada Çomo: “Tre ditët e fundit në shërbimin e rojës pranë shërbimit infektiv janë paraqitur pacientë të sëmurë me temperaturë, me të vjella dhe me diarre të ujshme apo heqje barku. Koiçidon që janë persona, të cilët frekuentojnë në mëngjes të njëjtin ambient publik që është shkolla. Një pjesë janë shtruar, një pjesë kanë dalë, kanë marrë ndihmën e parë dhe janë larguar jashtë spitalit. Për të vërtetuar nëse problemi është nga ushqimi, është nga uji. Po bëhet dhe kërkimi nga ana epidemiologjike, pra nga Instituti i Shëndetit Publik apo drejtoria që mbulon Tiranën”.
Sipas prindërve të vetë gjimnazistëve të helmuar, të cilët gjenden në spital dyshohet se shkak i helmimit mund të jenë bërë sanduiçët e konsumuar jashtë ambienteve të shkollës, ndërsa pritet që Drejtoria e Shëndetit Publik të përcaktojë shkaktarin e vërtet të këtij helmimi./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami