Verifikim kateve të para nëse ka ndërhyrje në strukturë
Prokuroria e Kurbinit ka zbritur menjëherë në terren për të verifikuar shkaqet e shembjes së godinave në tërmetin e 26 Nëntorit. Përpara se të realizohet shembja e tyre e kontrolluar një grup prokurorësh dhe ekspertësh kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të mbledhur sa më shumë prova të vlefshme për ta.
Mësohet se në fokus janë 6 pallate të cilët janë shpallur të pabanueshëm. Hetuesit janë duke kryer kontrolle në katet e para të banimit, me dyshimin se mund të jenë kryer ndërhyrje në strukturën e pallatit nga banorët ose biznese të ndryshme, çka mund të ketë sjellë edhe dëmtimet e këtyre godinave.
Burimet pranë organit të akuzës thanë se pasi të jenë mbledhur të gjitha provat dhe të jenë kryer veprimet proceduriale do të realizohet edhe shembja e këtyre godinave.
Gjithashtu në qytetin e Laçit janë duke u verifikuar edhe 4 pallate të tjerë, pasi kanë pësuar dëmtime të mëdha nga tërmeti i së martës që shkaktoi edhe 51 viktima dhe dëme të mëdha materiale. Më herët hetime kanë nisur edhe prokuroritë e Tiranës dhe të Durrësit.
Këta të fundit kanë dyshime se, shembja godinave nuk ka ardhur vetëm për shkaqe natyrore, por nga shkelja e ligjit dhe rregullave të ndërtimit nga ndërtues dhe zyrtare shtetërore. Hetimet kanë nisur për akuzat shpërdorim detyre, ndërtim i paligjshëm dhe dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm.
Tv Klan