Lajme Arkiva – TV Klan 2003
37 vjeçari Gazmend Tahirllari dyshohet të ketë vdekur nga konsumimi i tepër i alkolit dhe jo nga dhuna e policisë. Ky është konkluzioni në të cilën kanë arritur ekspertët ligjor dhe ata të prokurorisë të rrethit të Korçës, pas autopsisë që i është bërë disa orë pas ngjarjes viktimës.
Ministria e Rendit Publik ka dhënë versionin, sipas të cilit Gazmenf Tahirllari nga fshati Goskovë, ka rrahur pak ditë më parë gruan dhe e ka përzënë atë nga shtëpia. Nënë e bijë janë larguar në një vend tjetër, por kjo ka shërbyer si shkak që Tahirllari të thyej xhamin e makinës së taksistit dhe ta godasë edhe këtë të fundit. I dëmtuari ka bërë menjëherë denoncimin në polici dhe grupi i gatshëm e shoqëroi agresorin në gjendje të dehur për në komisariat.
Tahirllari gjithnjë sipas deklarimit të Ministrisë së Rendit, ka kundërshtuar dhe fyer vazhdimisht punonjësit e policisë. Në deklaratë nuk thuhet nëse policia ka përdorur dhunë ndaj të ndjerit, ashtu siç pretendojnë të afërmit e tij.
Familjarët e Tahirllarit:- “Policia e mori dje mirë e bukur, e solli sot të vdekur. Sipas infermiereve në spital, atë e kanë vrarë policia atje”.
Ndërkohë Ministria e Rendit Publik ka dërguar në Korçë një grup ekspertësh të kryesuar nga drejtori i policisë së rendit dhe pas një tjetër ekspertize që do të bëhet në Tiranë, pritet të shpallet zyrtarisht, nëse punonjësit e grupit të gatshëm, janë ose jo fajtor për vdekjen e 37 vjeçarit./tvklan.al