Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka shkuar paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije për tvklan.al se Veliu zhvilloi takime në Prokurori në kuadër të hetimeve për sasinë prej 613 kg kokainë që u kap në Portin e Durrësit.

Në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ardi Veliu ndodhej së bashku me partnerë ndërkombëtarë për të bërë analizën e dosjes së kokainës dhe hetimeve që po zhvillohen për këtë çështje. Për sasinë rekord të kokainës që u sekuestrua më 28 Shkurt në Durrës është arrestuar Arbër Çekaj, pronari i kompanisë së bananeve që kishte bërë porosinë nga Kolumbia.

Lënda narkotike ishte fshehur pikërisht në një konteiner të mbushur me banane. Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 Maj pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe pritet që të ekstradohet në Shqipëri. Të arrestuar për këtë trafik ndërkombëtar droge janë edhe Armand Pezaku dhe Donald Lushaj, të cilët pritën ngarkesën në port.

Për shkak të zhvillimeve intensive për këtë dosje, Ardi Veliu zhvilloi takime pune në Prokurori për të bashkërenduar hetimet mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në bashkëpunim edhe me partnerë ndërkombëtarë. Në këtë takim nuk ka qenë e pranishme drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Besohet se është diskutuar gjithashtu edhe për sasinë prej 1.8 ton kokainë të sekuestruar javën e kaluar në Gjermani, ku u arrestuan disa shqiptarë si drejtues të kësaj organizate kriminale. Hetimet për drogën e kapur në Gjermani, janë shtrirë edhe në Shqipëri ku policia e prokuroria kanë nisur verifikimet për shqiptarët e arrestuar.

/tvklan.al