Gjykata e Posaçme ktheu pas kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të marrë të pandehur ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për atë që njihet si dosja “Buka”.
Duke i konsideruar hetimet si jo të plota, gjyqtari i seancës paraprake, Erion Çela i la kohë dëri në 10 Mars prokurorit t’i plotësojë ato, duke reflektuar në kërkesën për gjykim. Disa nga reflektimet lidhen edhe me pretendimet e ngritura nga mbrojtja e Ahmetajt.
Ndër të tjera, gjatë seancës avokati kërkoi të merret në konsideratë edhe një ekspertizë e kryer para privatizimit të kompanisë së bukës, ku asetet e shtetit dhe te privatëve janë rivlerësuar me çmimet e tregut, sikundër kërkohej nga vendimet e gjykatave në atë kohë.
SPAK thotë se hetimet e deritanishme kanë treguar se Ahmetaj shpërdoroi detyrën duke favorizuar për të privatizuar shoqërinë “Buka sha”.
Ndërkohë, ndaj tij rëndojnë edhe 3 akuza të tjera, si korrupsion, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë në një tjetër dosje për të cilën që prej verës së 2023 është shpallur në kërkim. Vetë Ahmetaj i ka hedhur poshtë akuzat.
Tv Klan