Prokuroria shqiptare merr një tjetër goditje nga sistemi gjyqësor në vend. Gjykata e Lartë shpalli sot të pavlefshme hetimet e prokurorisë së përgjithshme ndaj Armand Telitit dhe Andi Tomes, të akuzuar për abuzime në tenderët e rrugës Durrës-Kukës. Me këtë vendim, çështja ndaj tyre pushohet e bashkë me të, bien poshtë edhe akuzat ndaj tyre. Togat e zeza me kryesues Gani Dizdarin dhe relatore të çështjes Majlinda Andrean, lanë në fuqi vendimin e Apelit, i cili i konsideron nul veprimet e kryera nga prokuroria pas datës 6 nëntor të vitit të kaluar.

Genc Gjokutaj: “Sot ne vërtetuam se hetimi është zgjatur subjektivisht  nga prokuroria, kjo do të ketë edhe efektin preventues për raste të tilla analoge në të ardhmen që të mos ndodhin më, të mos cenohen më të drejtat e personit që hetohet, pra gjithmonë ky është një kontribut për procesin e rregullt ligjor. Faleminderit!”

Edhe pse organi i akuzës kërkoi shpalljen e moskopetencës nga Apeli dhe bashkimin e çështjes me atë të ish-ministrit të Transporteve Basha aktualisht ministër i jashtëm, togat e zeza lanë në fuqi vendimin e shkallës së dytë të gjyqësorit, që i konsiderojnë hetimet e mëtejshme të prokurorisë pas 6 nëntor 2008, të paligjshme./tvklan.al

Gazetar: Julian Kasapi