Lëvizja Pesë Yjet bie dakord të mbështesë qeverinë Draghi
Kryeministri i ngarkuar për formimin e qeverisë së re italiane Mario Draghi mori në parim miratimin e Lëvizjes Pesë Yjet. Por ankthi mbetet i lartë pasi si partitë që pritet të mbështesin ekzekutivin e ri si mediat, nuk njohin listën e kandidatëve për ministra, listë e cila ndodhet ende në duart e ish-kreut të Bankës Qendrore Europiane.
Lëvizjet e fundit pritet të zhvillohen gjatë fundjavës, ndaj dhe është e paqartë koha e betimit të Mario Draghit para presidentit Sergio Mattarella. Nga ana tjetër duket më e qartë koha kur kabineti i ri do të kërkojë votëbesimin e ligjvënëseve. Sipas mediave italiane kjo do të ndodhë javën e ardhshme, të martën dhe të mërkurën.
Më herët ishte Lëvizja Pesë Yjet që njoftoi se do të mbështesë qeverinë e udhëhequr nga Mario Draghi. Në një votim online të zhvilluar me 74.537 anëtarë, 59,3% e të regjistruarve votuan pro qeverisë Draghi, ndërsa 40,7% kundër.
Sipas Luigi Di Maio-s, anëtarët e partisë treguan maturi dhe kurajë. Kryetari i Lidhjes së Veriut, MatteoSalvini, gjithashtu njoftoi mbështetjen e qeverisë. “Kemi besim tek Draghi, biem dakord për kushtet e bashkëqeverisjes dhe problemet urgjente të vendit,” tha ai.
Mbështetje dhanë edhe demokratët e Nicola Zingarettit. “Suksesi për formimin e qeverisë së re varet nga aleanca midis Partisë Demokratike, Lëvizjes Pesë Yjet dhe partisë Të lirë dhe të Barabartë,” tha Zingaretti. Edhe Forzza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni shprehu qëndrimin pro qeverisë Draghi.
Klan News