Viti 1976 është në qendër të rrugëtimit të programit “Histori me zhurmues” të mbrëmjes së sotme.

Një nga ngjarjet e asaj periudhe të diktaturës, të mbetura gjatë në kujtesën kolektive, është helmimi i 99 lopëve të kooperativës së fshatit Baldushk pranë kryeqytetit, e cila u kthye në tragjedi për fshatin, me dy të pushkatuar, një të vdekur në qelitë e paraburgimit dhe katër të dënuar me 25 vjet burg.

Ishte kjo ngjarje një montaturë e Sigurimit të Shtetit apo një absurditet? Vjen këtë mbrëmje me rrëfimin e tij përballë Pandi Laços, Faik Daja, vëllai i njërit prej viktimave, Rifat Dajes.

Një histori njerëzore e bazuar në kronikat e kohës është edhe ajo e Fanie Ndonit, brigadiere në një nga brigadat me rezultate më të larta në kooperativën e tipit të lartë të Semanit, në rrethin e Fierit.

Fania ishte aktiviste e gruas, anëtare e plenumit të rrethit, delegate në Kongresin e 7-të të PPSH-së, e dekoruar nga Kuvendi Popullor me Urdhrin e Punës të klasit të tretë.

Një nga industritë e zhvilluara në vend ishte industria e bakrit. Pikërisht për historikun e kësaj industrie, qysh prej vitit 1920 dhe për evolucionin e saj pas çlirimit, që mori hov me prodhimin e lingotave të para të arit dhe vlerësimin e tyre në bankat e Zvicrës, do të flasë Nikoll Gega, inxhinier, më pas kryeinxhinier në uzinën e përpunimit të bakrit në Rubik.

Për të tria këto histori dhe shumë detaje të panjohura të kohës, na ndiqni sonte në orën 21:00 në Klan./tvklan.al