Opera “Mrika”, e para opera shqiptare, e venë në skenë nga trupa amatore e Pallatit të Kulturës të qytetit të Shkodrës, është në fokusin e emisionit “Histori me zhurmues” mbrëmjen e sotme, si një nga ngjarjet kulmore të kulturës sonë, në vitin 1958.

Libreti i Llazar Siliqit dhe kompozimi i Prenk Jakovës ishin garancia e suksesit të kësaj vepre.

Violinisti Henrik Darragjati, një nga muzikantët e orkestrës sinfonike, rrëfen përpjekjet, vështirësitë dhe suksesin e premierës së operas Mrika, por edhe të 18 shfaqjeve që e pasuan.

Një tjetër i ftuar për të kujtuar këtë premiere të operës shqiptare është edhe solisti Abdulla Kalaci, interpretuesi në rolin e Dodës, me origjinë nga Shkodra dhe i emëruar në Ansamblin e Ushtrisë në Tiranë.

Kalaci tregon për suksesin që gëzoi kjo vepër përpara publikut shkodran dhe udhëheqjes së Lartë të Partisë e të Shtetit në Tiranë.

Protagonist i programit është edhe Lavdosh Dule, inxhinier i diplomuar në Bashkimin Sovjetik, pjesëmarrës në grupin e punës për ndërtimin e Aeroportit të Kuçovës dhe një nga projektuesit kryesorë të Aeroportit të Rinasit si dhe të disa objekteve të rëndësisë së veçantë në Shqipëri.

Nëpërmjet rrëfimit të tij, Dule tregon debatet në Këshillin e Mbrojtjes mes udhëheqjes së Lartë të Partisë mbi ndërtimin e Aeroportit Ushtarak të Gjadrit.

Një tjetër histori njerëzore vjen nëpërmjet rrëfimit të Nikollë Gjergjit nga Malësia e Madhe, mjeshtër mekanik në Kombinatin e Tekstileve Stalin, që nga Inaugurimi i tij.

Për shkak të ekzekutimit të të atit në vitin 1945, Nikollë Gjergji u detyrua të shkonte si vullnetar në të gjitha veprat e rëndësishme të periudhës së socializmit deri në vitin 1990. /tvklan.al