Sonte në mbrëmje në Histori me Zhurmues do të ndalemi në vitin 1949, vit kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe për ne filloi era e marrëdhënieve të ngushta me Bashkimin Sovjetik.
Është viti i planit të parë dyvjeçar i inaugurimit të hekurudhës Durrës-Tiranë, si dhe viti kur teatri i Shkodrës, “Migjeni” u kthye në një trupë profesioniste.
Personazhi i parë për sonte është Fetah Gorica, një nga makinistët e parë në vendin tonë dhe pjesëmarrës në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë. Rrëfimet interesante mbi jetën e tij të lidhur ngushtë me hekurudhën.
Fetah Gorica: “Unë Fetahu dhe Petraq Pupi jemi makinistët më të vjetër të hekurudhës. Morëm angazhimin, i ndezëm lokomotivat se ishin fikur lokomotivat. I ndezëm lokomotivat e filluam punën Durrës-Tiranë. Lokomotivë e tipit të vjetër, prodhim i vitit 1920, 47 i morëm ne, 27 vjet kishin punuar ato. Pas 27 vjetëve i morëm neve. Kishin bërë një riparim dorë për dore ato ashtu edhe e morëm ne”.
Një nga personazhet e kësaj mbrëmje do të jetë edhe Islam Spahia, një prej të pranishmëve në gjyqin e të ashtuquajturit grup trockist, në shërbim të agjenturës jugosllave.
Fati i kushëririt të tij, ushtarakut Taksim Spahia, si bashkëpunëtor i Hysen Sejdisë do të vijë tek ne nërpmjet dëshmive të tij.
Islam Spahia: “Një kalibër të themi i Isa Boletinit, i Bajram Currit, i Hasan Prishtinës. Veriu këto ka pasur si udhëheqës. Në periudhat e rilindjes kombëtare parangritën flamurin kundra turqve për pavarësi. Mbas uljes së flamurit për Kosovën që iu dha pabesisht sllavëve dhe pastaj mbas kësaj periudhe familja jonë të gjithë energjitë e saj ia kushtoi kësaj lufte për çlirimin e Kosovës.”
Përveç ngjarjeve me karakter politik do të qëndrojmë edhe në një ngjarje të shënuar artistike, krijimi i teatrit Migjeni.
Një nga pjesëmarrësit e parë të kësaj trupe, aktori Ndrek Prela, kujton fillimet e artit skenik në qytetin e Shkodrës, shfaqjet e para dhe si zhvilloi jeta artistike në qytetin me aq shumë tradita.
Ndrek Prela: “…Unë në teatër kam fut shpirtin. Nuk kam dit me e luajt, kam interpretu gjithmonë. Në teatër ka dy rrugë, interpretim edhe lojë.”/tvklan.al