Edhe sonte si gjithmonë në programin “Histori me zhurmues” kronikat arkivale do të na çojnë në të tjera ngjarje e fakte të viteve të periudhës ‘45-’90. Viti 1959 do të mbyll 15 vjet të Shqipërisë në regjimin komunist, me vizitën e numrit një të BS Nikita Hrushov.
Një pritje madhështore si askurrë në historinë e Shqipërisë për pasardhësin e Stalinit, i cili solli një tjetër ajër në Europën e Lindjes.
Dukej sikur udhëheqësit shqiptar do të ndiqnin me bindje orientimet e liderit të ri të kampit. Por përcjellja entuziaste nga Tirana ishte vetëm një fasadë e marrëdhënieve dhe një vit më vonë do të vinte çarja.
Fakte dhe detaje të vizitës nga Agim Popa, njeriu që përktheu fjalimet dhe takimet e Hrushovit në fundin e majit të 59 do të jenë një nga momentet e kësaj mbrëmjeje.
Por në programin e sotëm do të ketë dhe të tjerë personazhe të ftuar në “Histori me zhurmues”. I ftuar Mario Ashiku, djali që braktisi Institutin e Fizkulturës për kinemanë dhe fillimet e karrierës kinematografike me bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik filmin “Furtuna”.
Mario Ashiku: “Dy heronj të huaj s’ka lezet, … ky nuk është i huaj është shqiptar, shqiptar? Ç’është ky emër? Po kështu tha e ka emrin. Por mirë tha bisedoni atëherë me atë që të bëhet një modifikim se s’ka lezet do shkojë filmi jashtë dhe do thonë që s’paskan pas dy aktorë këto, paskan marrë një italianë. Po sikur ta bëjmë Marim tha atëherë, sepse ka një tingëllim të huaj tha ky kështu, po mirë mor dakord. Pas ca ditësh erdhën me një propozim tjetër, menduam tha që jo Marim, por ta bëjmë Arben meqë në film heroi quhet Arben edhe është kështu si punë emri artistik etj etj. Mirë i thash unë, nuk ka asnjë problem edhe kështu u bë kjo punë.”
Ngjarjet e vitit 1959 për kryeqytetin shqiptar, nga prishja e pazarit të vjetër të Tiranës, dëshmitë e qytetarëve se si pushteti popullor u shkatërroi dyqanet e bizneset për projektin e Pallatit të Kulturës.
Ndërtimi i centralit të parë të telefonik dhe ndërtimi i Liqenit Artificial do të bënë të tjera momente që do të kujtojnë sot Pandi Laço dhe regjisori Bledar Laço me dëshmitar të kohës./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro