“Histori me zhurmues” sonte do të sjellë ngjarje dhe momentet e vitit 1972.
Kino-kronikat do të risjellin atmosferën e kohës. Janë vitet kur gjithnjë e më shumë konsolidohet miqësia shqiptaro-kineze, megjithëse Kinën e largët këtë e vit viziton presidenti Nikson.
Redaksia e programit edhe këtë herë ka kërkuar të sjellë protagonistë dhe dëshmitarë real të ngjarjeve dhe të ftuar këtë herë kanë qenë skenaristi Skënder Plasari, krijuesi i personazhit të famshëm të Xha Sulës në filmin “Kapedani” që në vitin 1972 dhe më pas mbeti si një nga kulmet e kinematografisë shqiptare.
Skënder Plasari: “Vijnë edhe vajzat e klasës. Ato ishin të veshura me geta edhe ky i pa kështu: Ç’është kështu mo, tha. Ç’dalin si me breçka?”
Kongresi i drejtshkrimit, një tjetër dukuri e vitit 1972. Mes diskutimeve dhe rrethanave që çuan në drejtshkrimin e gjuhës letrare, roli i studiuesve jashtë trevave shqiptare dhe ai i gjuhësisë sonë do të vijë nën dëshminë e profesor doktor, Emil Lafe.
Emil Lafe: “Mbi atë hartën politike të copëtuar të kombit shqiptar të Ballkanit u hodh një hartë e pacoptuar. Harta gjuha shqipe.”
Vllaznia e famshme e futbollit që i rikthehet të dy titujve, kampionatit dhe kupës së republikës pas një ndeshje dramatike dhe shtatë penalltive të ekzekutuara nga vetëm një futbollist, Ramazan Rragami.
Ramazan Rragami: “Për hatër të volejbollit u dënua dhe ekipi i futbollit që në ’71-’72 Vllaznia nuk mori pjesë në asnjë aktivitet të UEFA-s”.
Dhe natyrisht që festivali i 11-të është epilogu i këtij viti, i cili megjithëse një eveniment artistik do të ketë një peshë të madhe për vitet që do pasojnë.
Personazhe pjesëmarrës të festivalit të 11-të do dëshmojnë për atë që kanë e përjetuar gjatë ditëve të tij.
“Por ishte një gjë shumë interesante, ndërsa partia e kreditoi festivalin duke nisur nga ana e veshjeve, ana skenike. Në anën tjetër në bllokun ku jetonin bllokmenët fëmijët e tyre ishin më modern sesa festivali i 11-të dhe ata kalonin para diktatorit, përpara hundës së tij.”
Një surprizë e natës së sotme do të jetë dhe rikthimi në ekranin shqiptar i këngëtares Enxhi Nini me regjistrimet e saj të fundit.
Personazhe interesante dhe kronika të patransmetuara më parë në një ekran kanë ngjallur kuriozitetin e teleshikuesit shqiptar, që tashmë është bërë pjesëmarrës në këtë program me sugjerimet e tij në adresën e emailit, [email protected]./tvklan.al
Gazetar: Jolldiz Mitro