Kanë kaluar 52 vite që kur filmi i mirënjohur “Kapedani”pati premierën, por këto 5 dekada nuk e kanë zbehur aspak këtë prodhim kinematografik i cili mbetet sërish i dashur për publikun, e që mbrëmë pati premierën e dytë të tij, atë të restaurimit në cilësinë më të mirë 4K.
Është titruar në anglisht dhe së shpejti edhe në gjuhë të tjera, pasi ky restuarim i hap rrugën udhëtimit të filmit “Kapedani” me regji të Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshfait, në festivalet ndërkombëtare.
Batutat e këtij filmi edhe sot na shoqërojnë në bisedat e përditshme, dhe kënaqësia më e madhe e aktorëve në të gjallë ishte pikërisht ky fakt, siç pohon e bija e Nikolin Xhojës që ishte në rolin e Xha Beqos.
Me skenar të Skënder Plasarit, filmi erdhi në një kohë kur emancipimi i gruas në shoqëri ishte një nga debatet e asaj kohe, dhe me batuta dhe situata komike dhe me një interpretim brilant të Albert Vërrisë, në rolin e Xha Sulos, filmi pati menjëherë sukses.
Gjithsej janë restuaruar 17 filma, nga Arkivi i Filmit, ndërsa 3 të tjerë do t’i nënshtrohen restaurimit.
Tv Klan