Sonte sërish në ekranin e TV Klan në programin e suksesshëm të “Histori me Zhurmues”, kronikat do të na çojnë në të tjera ngjarje e fakte të ndodhura në vitin 1977.
Në mbrëmjen e sotme do të sjellim atmosferën e atyre viteve të vështira në ekonominë shqiptare që po përpiqet të mbijetonte nën grahmën e socializmit.
Inxhinier Nuh Isufi, projektuesi i prerjeve matematikore të llamarinave në ofiçinën e automjeteve, Shkodër. Nëpërmjet kujtimeve të tij, risillet procesi i projektimit dhe montimit të pjesëve përbërëse të traktorëve, makinave “Skoda”, autofrigoriferëve dhe autobuzave “fizarmonikë”.
Pandi Laço: “Një inxhinier ose një specialist, një novator, po e quajmë, çfarë shpërblimi merrte për idetë e reja që sillte?”
Nuh Isufi: “A e don popullorshe, apo…?”
Pandi Laço: “Popullorshe”.
Nuh Isufi: “Një fletë lavdërimi e kam marrë. Unë punova…”.
Një tjetër ngjarje e vitit 1977 është ajo në fshatin malor të Moglicës në rrethin e Korçës. Pasojat e një fatkeqësie natyrore, dëmet materiale që erdhën nga rrëshqitja e dheut dhe zgjidhja që iu ofrua banorëve nga pushteti i kohës.
Gjithçka tregohet nga Eqerem Mollaymeri, anëtar i një prej familjeve të dëmtuara. Si u rindërtua fshati i ri brenda një harku kohor prej 2 muajsh? A ishin të kënaqur banorët me vendin ku u ndërtua fshati i ri i Moglicës?
Natyrisht do të vijnë dhe tingujt muzikorë të hiteve shqiptare dhe botërore të atyre viteve, por sigurisht pika kulmore e kësaj mbrëmje do të jetë historia tragjike e familjes së inxhinierit Xhavit Sollaku, drejtor i punimeve në rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, i akuzuar për sabotazh ekonomik dhe më pas i pushkatuar në rrethana ende enigmatike.
Dëshmitë rrëqethëse të gruas së tij ruse, Irina dhe dy vajzave binjake, Elena dhe Vera.
“Gjyqi është bërë edhe u dënua me vdekje, prandaj tha këto gjëra mund të marrësh mbrapsht që i solle, po i thashë unë më falni, po për çfarë u dënua me vdekje? Këtë e di partia. Të rrojë partia, i thashë unë. S’kisha ç’të thoja tjetër edhe dola”.
Si rrodhi fati i kësaj familjeje? Peripecitë dhe vuajtjet e tyre pas pushkatimit të të atit.
“U ngrit atëherë zv/dekania jonë dhe tha ne e dimë që ti mamanë e ke ruse dhe je brumosur me idetë revizioniste.”
Këto dhe të tjera ngjarje të rëndësishme të vitit ‘77 do t’i sjellë mbrëmja e sotme e “Histori me Zhurmues”.Na ndiqni në orën 21:00 në TV Klan./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle