Kryetari i Partisë LIBRA, Ben Blushi, ka treguar sot historinë e një kandidati për deputet në Memaliaj, të cilit iu vodh edhe vota e tij sëbashku me ata të familjes.

“Në Memaliaj, qarku Gjirokastër, LIBRA kandidoi një djalë që quhet Mystehak Muho. Ai votoi bashkë me familjarët e vet gjithsej 6 veta te Pallati i Kulturës qendra 43 69/1.

E dini sa vota gjeti pas numërimit? Asnjë. Këto janë zgjedhjet e 25 qershorit 2017 në të cilat LIBRA mori sipas KQZ 19666 vota. Natyrisht pa 6 votat e Mystehak Muhos”, tha Blushi.

Blushi, me një postim në rrjetet sociale, tha se këtë histori po e tregonte për të gjithë ata që pretendojnë se këto zgjedhje kanë qenë të drejta dhe për të gjithë ata që ngushëllohen me besimin se ka ende shqiptarë të lirë po tregoj një histori.

LIBRA nuk arriti të fitojë asnjë mandat deputeti nga zgjedhjet e 25 qershorit, të cilat u fituan nga Partia Socialiste.

Kryeministri Edi Rama dhe skuadra e tij fituan 74 mandate në parlamentin me 140 ndenjëse, ç’ka i jep mundësinë ta krijojë qeverinë pa nevojën e koalicioneve. /tvklan.al