“Pas pushimeve të gjata verore, nxënësit kanë filluar të bëhen gati për të nisur vitin e ri shkollor me 9 Shtator”, shprehet gazetarja Dorina Halili.
Shpërndarja e librave ka nisur në disa prej shkollave në vend. Këtë vit përveç klasave të para deri në të treta, edhe ato të katërta, teta dhe të nënta do të marrin falas libra të rinj.
“Nëse do t’i blija sot këto librat e vajzës sime që është në klasën e 8 do me kushtonin rreth 8 mijë lekë, kështu që është një ndihmesë e madhe për gjithë prindërit”, u shpreh një prind.
“Ndërsa klasat e 5,6,7 vazhdojnë të kenë libra të përdorura”, tha Marjana Dedia, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi”.
“I mora të gjitha, duhet t’i ruajmë për të tjerët”, tha një nxënës.
Megjithatë ka edhe raste që nxënësit i blejnë disa libra për shkak të shënimeve nga nxënës të mëparshëm.
“Sidomos e Gjuhës dhe Matematikës, që mund të ketë qenë i përdorur shumë ose kur është fshirë, nuk është fshirë mirë”, tha drejtoresha e shkollës.
Me tekste shkollore falas do të mund të pajisen edhe 16 kategori specifike të nxënësve në arsimin e mesëm.
Janë më shumë se 238 mijë nxënës që do të përfitojnë libra falas këtë vit, përmes një buxheti prej mbi 9 milionë dollarësh.
Tv Klan