“Shqipëria ka kapacitete të mbajë deri në 600 mijë refugjatë”.
Këtë e ka pohuar Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, i intervistuar nga televizioni gjerman ZDF.
Në një reportazh të kanalit gjerman, ku flitet mbi planin e qeverisë austriake për ngritjen e një kampi emigrantësh në një vend të Ballkanit Perëndimor jo anëtar i BE, Hodaj shpjegon se Shqipëria është e sprovuar në përballimin e situatave të jashtëzakonshme të emigrantëve. Hodaj sjell në vëmendje rastin e shpërnguljes në vendin tonë të kosovarëve gjatë kohës së luftës, në vitin 1999.
Shqipëria, Maqedonia, por edhe Kosova përmenden si alternativa për stacionimin e emigrantëve, nëpër kampe të ngritura nga BE. Plani i kancelarit austriak Sebastian Kurz, që mbështetet edhe nga Danimarka, është përfolur vazhdimisht në mediat kryesore europiane, si francezja Le Monde, austriakja “Die Presse” e tashmë edhe televizioni gjerman ZDF.
Kundër vendosjes së emigrantëve në rajonin tonë është shprehur Komisioneri për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, i cili tha për mediat austriake se Ballkani nuk mund të kthehet në vendparkimi emigrantësh.
Tv Klan