Momenti i ndalimit të ish-Presidentit Ilir Meta në mes të rrugës në një nga rrethrrotullimet më të populluara të kryeqytetit sipas gazetarit Blendi Fevziu është i ekzagjeruar. I ftuar në Klan News, gazetari Fevziu thotë se arrestimi i Metës mund të bëhej në kushte normale.
Blendi Fevziu: Momenti i ndalimit është i ekzagjeruar që në gjykimin tim përsa kohë një person prezumohet i pafajshëm dhe nuk është marrë ende një vendim, nuk ka përse të jetë në një formë të tillë. Sidomos një ish-President, ish-Kryeministër, ish-Kryetar i Kuvendit, një njeri që ka pasur një peshë të madhe politike këto 33 vite, mban përgjegjësi për veprimet e veta, mban përgjegjësi për problemet që mund të ketë me drejtësinë. Arrestimi i tij mund të bëhej në kushte normale, mund të thirrej në zyrat e SPAK-ut, mund të thirrej në Drejtorinë e Policisë t’i lexohej akuza dhe të ndërmerreshin hapat normal. Ndalimi në rrethrrotullimin më të populluar të Tiranës në atë orë në njëlloj filmi si me forca special m’u duk i ekzagjeruar. Ilir Meta do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij nëse gjykata e njeh fajtor, ose do të dalë i pafajshëm.
Fevziu thotë se arrestimi i ish-Presidentit Meta në këtë formë nuk i la një shije të mirë teksa shton se është e papranueshme forma e ndalimit të tij në mes të rrethrrotullimit në Tiranë rrugës për në selinë e Partisë së Lirisë.
Blendi Fevziu: Arrestimi i tij në këtë formë të tillë spektakli nuk më la një shije të mirë. Kjo ka ndodhur dhe me dhëndrin e Berishës, Malltezin. Nuk mendoj se një ish-President dhe një ish-Kryeministër do të tentojë që të arratiset. Gjesti në vetvete është që policia merr urdhrin për ta arrestuar, i kërkon që të paraqitet në Drejtorinë e Policisë duke e ndjekur, nëse e shohin që tenton të largohesh, ndërhyjnë për të ndaluar. Ishte normal rasti i Salianjit, iu dha vendimi që të kryente dënimin. Qëndroi, u paraqit në Drejtorinë e Policisë. Një formë e tillë është më civile se sa njëlloj gjesti publik për të treguar forcë dhe fuqi. Dua të ndaj pjesën e tij të akuzës, pjesën e reagimit të momentit sepse unë nuk e di se çfarë ka ndodhur. Pse duhet ta ndalosh në një nga rrethrrotullimet më të populluara? Në rastin e Metës, ende prezumohet i pafajshëm. Është person nën hetim. A ishte në kushtet e flagrancës? Jo. E papranueshme si formë. Thelbi është pse njeriu duhet të ndalohet në mes të rrugës?
Më poshtë momenti i ndalimit të ish-Presidentit, Ilir Meta:
/tvklan.al