Përkeqësohen kushtet e motit në orët në vijim. Instituti i Gjeoshkencave parashikon që i gjithë territori i vendit do të përfshihet nga mot i keq, që do të shoqërohet me reshje intensive shiu dhe dëbore në zonat malore. Sipas këtyre informacioneve, më intensive reshjet e shiut do të jenë në 6 qarqe të vendit, Vlorë, Gjirokastër, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Korçë. Reshjet sipas IGJEO do të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet e vendit.

Ndërkohë që ditën e diel, shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në tetë qarqe si Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sipas parashikimeve pritet edhe ulje e ndjeshme e temperaturave, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullim. Për shkak të masave ajrore polare të cilat kanë prekur gadishullin e Ballkanit, temperaturat e ajrit do të zbresin me mbi 7 gradë Celsius, duke bërë që vlerat minimale të arrijnë deri në -4 gardë Celsius.

Reshje bore do të ketë kryesisht në Veri, Verilindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit. Ndërkaq kapiteneria e Durrësit ka njoftuar pezullimin e lundrimit të trageteve në linjat Durrës-Bari dhe Bari-Durrës për ditën e diel për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erës së fortë.

Ndërkohë, lundrimet në linjën Ankona-Durrës dhe anasjelltas do të vazhdojnë normalisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon strukturave vendore dhe qendrore të jenë në gatishmëri për çdo situatë dhe të marrin masa për menaxhimin e reshjeve. Qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes të shtuar në lëvizje dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Klan News