Në ditën e parë të nisjes së regjistrimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali iu drejtua me një mesazh votuesve që jetojnë jashtë vendit. Ajo tha se Shqipëria ka nevojë jo vetëm për dërgesat, por edhe për votën e tyre.

“Me mundësinë për të votuar në zgjedhjen për Kuvendin e Shqipërisë nga vendet ku jetojnë, emigrantët shqiptarë kanë më shumë hapësira për të marrë pjesë drejtpërsëdrejti në qeverisjen e vendit. Motra e vëllezër emigrantë, regjistrohuni për të votuar, në mënyrë që të ushtroni të drejtën dhe ndikimin tuaj në vendimmarrjet për punët tona të përbashkëta, që Shqipëria jonë të afrohet sa më shpejt me standardet e vendeve perëndimore ku jetoni. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për dërgesat tuaja, por edhe për votën tuaj”.

Kryeparlamentarja vlerësoi kontributin që emigrantët kanë dhënë dhe japin ndër dekada për vendin e tyre, teksa foli edhe për kujdesin që shteti po tregon vitet e fundit.

“Marrëveshjet për pensionet janë nënshkruar me mjaft vende pritëse. Pas ratifikimit nga Dhoma e Deputetëve, shumë shpejt pritet ratifikimi kësaj marrëveshjeje edhe nga Senati i Italisë. Kujdesi për shkollimin në gjuhën shqipe të fëmijëve të emigrantëve është një tjetër tregues i vëmendjes së institucioneve të shtetit ndaj Diasporës”.

Sipas kryetares së Kuvendit rreth një miliard euro në vit vlerësohen të ardhurat që hyjnë në vendin tonë nga emigracioni.

Klan News