Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për rijetëzimin e kalasë së Elbasanit. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte dhe kryeministri Edi Rama i cili tha se ky projekt do të ndihmojë turizmin dhe ekonominë.

“Ndërkohë që Berati, i cili e ka nisur procesin e rilindjes dhe transformimit në funksion të turizmit dhe e ka kthyer turizmin në një motor të ekonomisë vendore, ka arritur në 800 mijë vizitorë dhe turistë, Elbasani është sot që flasim në rendin e 20-25 mijë vizitorë, turistë. Vizitorët në Kalanë e Beratit kanë kohë që kanë kapërcyer numrin e 100 mijë të tillëve, në Kalanë e Elbasanit janë rreth 4 mijë. Këto shifra do të përmbysen shumë shpejt me projektin e kalasë. Kalaja e Elbasanit ka një histori dhe ka disa përbërës që kanë një potencial të jashtëzakonshëm”.

Sipas Ramës, së shpejti të gjithë qytetarët e Elbasanit do të jenë pjesë e metropolit të Tiranës jo vetëm për shkak të distancës së shkurtër, por edhe nga pikëpamja e integrimit ekonomik dhe social.

“Të kemi praktikisht në Elbasan një pol të ri të Tiranës metropol. Faktikisht Durrësi, Dibra dhe Elbasani janë tre krahë, ose janë tre degëzime të natyrshme të metropolit të Tiranës. Kështu me këtë zhvillim, me këta komponentë besoj që më herët se vonë të gjithë ata që jetojnë në Elbasan do të jenë faktikisht jo thjesht nga pikëpamja e distancës, por nga pikëpamja e integrimit ekonomik dhe social pjesë e metropolit të kryeqytetit”.

Një tjetër investim që sipas kryeministrit do të sjellë zhvillim për Elbasanin është dhe automotoparku që pritet të ndërtohet.

“Automotoparku do funksionojë 365 ditë të vitit. Do jetë një pikë që do funksionojë si një pikë e shumë shërbimeve, e edukimit të sigurisë rrugore, si pikë për gara të niveleve të ndryshme motoçiklistike dhe do funksionojë si pikë për turizmin e përditshëm për shumë e shumë arsye me muzeumin, me zonën rekreative. Shkurt fjala e ardhmja është aty, është përpara nesh dhe nëse sot ne e shikojmë horizontin e anëtarësimit në familjen europiane brenda kësaj dekade, që i bie brenda mandatit tonë të katërt të jemi të shpallur gati për të hyrë në BE, me këtë periudhë përkon dhe ky transformim i Elbasanit dhe ky kapërcim i Elbasanit në një nivel tjetër, ku gjithë fluksi turistik që sot ka një përqendrim të madh në Tiranë, që askush nuk e imagjinonte deri shumë vite më parë të jetë pjesë edhe Elbasani i kësaj historie transformimi”.

Ironizoi deklaratat e opozitës, e cila vazhdimisht ka akuzuat qeverinë që po shkatërron trashëgimin kulturore.

“Mirëpresim sa më parë stalkerin e fondit që të shfaqet në kala dhe që të këndojë këngën e kukuvajkës me pamjen e kanarinës në një mënyrë që ta marrim dhe këtë bekim se na duhet. Këtu në Elbasan ka një besim të palëkundur te hudhra si një komponent i rëndësishëm i mbajtjes larg të syrit të keq. Por në qoftë se do na nderonte me vizitën e saj këtu kukuvjaka kanarinë ne do të ishim shumë mirënjohës sepse do na jepte mundësinë që ta forconim këtë “marrëdhënie mafioze, korruptive, kriminale”, me fondin shqiptar të zhvillimit dhe të vinim të gjitha paratë e krimit të përbashkëta në dispozicion të qytetit të Elbasanit, të bindur që nuk do kishte sy të keq që do na afrohej më sepse do kishim një hudhër 2.0 në dispozicion. Do më falni për këtë entuziazëm patetik që kam kur më kujtohet fakti që fondi ka një fat të madh të ketë një stalker. Jo se mua më kanë munguar stalkerat, por nuk e kam pasur kurrë në këtë lloj trajte kaq cicëruese”.

Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, foli për një sërë projektesh për Elbasanin, duke nisur nga sahati deri te hamami i vjetër dhe Kisha Ortodokse e Shën Mërisë.

“E njohim se Kalaja e Elbasanit është një simbol dhe mozaik i mundshëm, por ne e dimë shumë mirë që situata sot nuk na ndjell të vijmë në Elbasan me atë dëshirën dhe me atë kuriozitet që do ishte nëse ky projekt do realizohej. Këtu për brenda perimetrit të kalasë miratuam VKM për menaxhimin më të mirë të zonës A dhe B. Një prej projekteve është ai që hamami i vjetër, kisha ortodokse e Shën Merisë, apo bazilika paleokristiane apo objekte tjera që vijnë si rreze e Kalasë siç janë shtëpia e Kristoforidhit apo muzeu etnografik dhe kulla e Sahatit”.

Me investimet që do të kryen në Elbasan, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku thotë se brenda dy apo tre vjetëve synohet që ky qytet të vizitohet nga 1 milion turistë. Sipas kryeministrit Rama, qeveria do të vijojë të investojë projekte edhe në qytete të tjera me ndikim në turizëm dhe ekonominë e vendit.

Klan News