Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 71-vjeçar, i cili u kap me armë. Siç duket nga pamjet, pistoleta iu gjet në krevat.

Policia thotë se kishte marrë informacione në rrugë operative nga burime të ndryshme se ky person mbante armë.

“Mbi bazën e këtyre informacioneve, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit V.K, dhe kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak”, njoftoi policia.

Sipas uniformave blu, i arrestuari ka qenë më parë i dënuar për vrasje në shtetin gjerman.

Gazetari Besar Bajraktaraj mëson se i arrestuari është Vladimir Këndella.

Ai u kap në ambientet e një lokali në Tiranë. Në deklarimet e para ai u tha hetuesve se armën e mbante për vetëmbrojtje për një vrasje që ka bërë vite më parë në Gjermani për hakmarrje. Për këtë ngjarje, Këndella është dënuar me 30 vjet burg në Gjermani. Dy vite më parë kishte shlyer dënimin dhe ishte kthyer në Shqipëri. /tvklan.al