Familjarë, miq, të afërm, kolegë e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani, i cili u nda nga kjo jetë mesditën e të mërkurës, si pasojë e një arresti kardiak në moshën 44-vjeçare.
Politika u bë bashkë përtej ngjyrave partiake gjatë homazheve të zhvilluara në hollin e parlamentit, që hapi dyert që prej orës 10 të paradites, duke e nderuar në një ceremoni zyrtare.
Në homazhe nuk munguan krerët më të lartë të shtetit.
Për Presidentin e Republikës, Gerti Bogdani do të mbahet mend si njeriu me vlera të jashtëzakonshme morale e politike.
“Një njeri me vlerë të jashtëzakonshme morale dhe politike. Ishte një njeri i cili pati një jetë të mbushur aktive qoftë publike, qoftë politike. Ngushëllime familjes”.
Për demokratët dhimbja është e madhe. Në emër të grupit mesazhin e ngushëllimit e dha nënkryetari i partisë, Luçiano Boçi.
“I japim lamtumirën e fundit, mikut tonë, bashkëpunëtorët tonë, politikanit shembullit, shokut tonë personal Bogut, siç e thërrisnim në koefidencë.Gerti ishte dëshmi se si duhet të jetë një politikan, shembull se si duhet të jetë një familjar, shembulli se si duhet një njeri të ndërtojë karrierën e tij, angazhimin publik, komunikimin politik. Dhimbja jonë është shumë e madhe, trishtimi dhe hidhërimi i familjes sonë politike, është po kaq i madh sa i dhe i familjes së tij”.
Humbja e parakohshme e Gerti Bogdanit i bëri të lotojnë të gjithë, pavarësisht nga ngjyrat partiake.
Krahas ministrave të qeverisë, homazheve iu bashkuan edhe deputetë të grupit parlamentar të socialistëve, të cilët thanë se modeli i Gerti Bogdanit do i mungojë politikës shqiptare.
Niko Peleshi: Humbje e parakohshme në moshë kaq të re është shumë e dhimbshme për këdo. Aq më tepër që bëhet fjalë për një politikan model dhe një qytetar e familjar shembullor. Dua të bashkohem me ngushëllimet dhe dhimbjen që gjithkush ndjen sot. Do t’i mungojë familjes, miqve dhe politikës shqiptare.
Sali Berisha nuk mundi t’ia japë lamtumirën e fundit njërit prej bashkëpunëtorëve të tij, por në emër të familjes, mesazhin e ngushëllimit e bëri bashkëshortja e tij Liri Berisha e cila shoqërohej në homazhe nga e bija.
“Nuk gjej fjalë në këtë dhimbje të madhe të bëj një ngushëllim sepse asgjë nuk ka vlerë në këto momente sesa jeta e atij që iku. Në pozicionin e nënës, dua të ngushëlloj prindërit dhe lutem bashkë me ta të gjejnë forcë për ta kapërcyer këtë dhimbje. Edlirën, para së cilës dalin sot detyra shumë të rënda dhe të vështira për t’i kryer. Ngushëllime të gjithë miqve dhe shokëve me të cilët ai bëri një rrugëtim kaq të shkurtër, por të bukur. Do ta kujtojmë gjithmonë me shumë dashuri, shumë respekt dhe shumë mirësi”.
Kryeministri Rama për shkak të angazhimit në Bruksel nuk mundi të ishte në homazhe, ku nuk mungoi bashkëshortja e tij Linda Rama e cila I shprehu ngushëllimet familjarëve t ë ish deputetit democrat.
Pas mbylljes së homazheve, arkëmorti me trupin e pajetë të ish-deputetit Gerti Bogdani, i cili shoqërohej nga famijarë, miq e deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike u përcoll në varrezat e Sharrës.
Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike anuloi të gjitha aktivitetet duke e shpallur ditë zie këtë të enjte, ndërsa Kuvendi shtyu për orën 17:00 të pasdites zhvillimin e seancës plenare.
Gerti Bogani mbahet mend si student ekselent i cili braktisi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u rikthyer në vitin 2005 në Shqipëri, ku hodhi hapat e para të karrierës së tij politike pranë Partisë Demokratike.
Në vitin 2007 ai u zgjodh kryetar i minibashkisë numër 10 në Tiranë, ndërsa xhaketën e deputetit e veshi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit të 2009-ës, mandat të cilin e rinovoi edhe në garën elektorale të 2013-ës.
Në selinë blu i besuan drejtimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike si dhe postin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Gerti Bogdani ishte baba i dy vajzave nga martesa me aktivisten e njohur Edlira Çepani.
Tv Klan