Këto janë pamjet e shpërthimit të tritolit mëngjesin e 3 Prillit në mobilerinë e Artan Allës në zonën e Rrashbullit në Durrës. Kjo ngjarje tashmë është zbardhur nga policia, e cila në pranga ka vënë 48-vjeçarin, Alban Qira që shihni dhe në këtë foto.
Ky i fundit, sipas hetuesve është pikërisht personi i maskuar që shfaqet në kamerat e sigurisë teksa vendos lëndën plasëse. Siç mund ta shihni, ai vjen në këmbë në vendin ku ndodhet mobileria dhe në duar mban eksplozvin. Pasi qëndron për pak sekonda, ndez lëndën dhe pasi e hedh atë në ambeentet e jashtme të mobilerisë, largohet sërish në këmbë.
Për identifikimin e 48-vjeçarit, policia ka ndjekur lëvizjen e tij para dhe pas shpërthimit. Nga analizimi i kamerave të sigurisë, autori ka lëvizur në këmbë rreth 2 kilometra, nga vendi ku kishte parkuar makinën e deri tek mobileria. Pikërisht, automjeti i tij ka ndihmuar hetuesit në identifikimin e autorit, të cilit pas arrestimit iu gjetën dhe rrobat e përdorura në ngjarje.
Gjithashtu nga verifikimet ai dyshohet të jetë autor, jo vetëm i shpërthimit me eksploziv 4 ditë më parë, por dhe i dy sulmeve të tjera po në këtë mobileri më 7 Mars të këtij viti dhe 18 Nëntor të 2023. Lidhur me shkaqet e sulmeve me tritol nga 48-vjeçari, policia vijon hetimet pasi vetë autori nuk ka pranuar të flasë.
Tv Klan