Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se vetëm në 2019-n janë 227 qytetarë që kanë humbur jetën në aksidente rrugore, shifër e cila është thuajse 5 herë me e lartë se ajo e të vrarëve që shkakton krimi në Shqipëri.

“Gjithë kriminaliteti në vend prodhon rreth 50 të vrarë në vit, edhe kjo në rënie drastike krahasuar me të kaluarën, por gjithsesi është një numër i madh qytetarësh shqiptarë që humbin jetën. Ky numër nuk mund të pranohet, ne sot jemi këtu pikërisht për t’u marrë me lajmin e keq. Kemi shumë të vrarë në rrugët e vendit, dhe ky numër duhet të ulet në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu duhet të ulet dhe numri i aksidenteve dhe i dëmeve të tjera, që sjell mosrespektimi i rregullave në rrugë, dëme në plagosje, dëme të panumërta materiale e të tjera me radhë”.

Si zgjidhje, Ministri sheh hartimin e një pakete të plotë masash të cilat do të adresojnë problematikën në qarkullimin rrugor. Paketa parashikohet të ketë ndërhyrje në shumë aspekte dhe Lleshaj listoi disa prej tyre.

“Së pari ne synojmë të bëjmë ndërhyrje të rëndësishme në Kodin Rrugor, akteve të tjera ligjore dhe nënligjore që merren me rregullimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë e qarkullimit rrugor. U përmend celulari, mbetet një burim shqetësues aksidentesh në rrugët e vendit dhe duhet të merren masa për ta kufizuar, mundësisht ndaluar rreptësisht përdorimin e tij. Alkooli po ashtu, narkotikët, kujdesi ndaj fëmijëve që udhëtojnë në automjetet tona”.

Lleshaj tha se me rëndësi do të jetë rritja e përgjegjshmërisë dhe aftësive për përdoruesit e rrugës. Për këtë Ministri propozoi implementimin e testit të idiotit.

“Ne kemi ende përdorues rruge të cilët nuk e meritojnë lejen e drejtimit që kanë. Rritja e përgjegjshmërisë së përdoruesve të rrugës, duke përfshirë nga drejtuesit e automjeteve tek qytetarët, kërkon një program të gjerë masash, që përfshin edukimin në shkolla, teste të vazhdueshme. Ka ardhur koha të mendojmë për testet psikologjike, të cilat në rastet e drejtuesve që nuk sillen në përputhje me normat ligjore, por ndonjëherë tejkalojnë edhe disa norma të tjera të normës në rrugë, ka ardhur koha për të menduar edhe për testet psikologjike, që tentojnë të verifikojnë stabilitetin e sjelljes së tyre. Në hapësirën gjermanike quhet “Idiotentest”, pra testi i idiotit, që bëhet rëndom kur dikush sillet në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe para se t’i jepet mundësia për të rimarrë lejen e drejtimit duhet të provojë që është stabël në pikëpamje të sjelljes”./tvklan.al