Në ditën ndërkombëtare të dhunës kundër gruas, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha është shprehur se barazia gjinore është një domosdoshmëri për të përmirësuar cilësinë e shërbimit në shumë fusha.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha ka thënë se krijimi i Shoqatës së Grave në Policinë e Shtetit është një mekanizëm që ofron një mundësi profesionale për karrierë për gratë. Më tej, Hoxha ka theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për të përmirësuar dhe për të krijuar mekanizma për eliminimin e dhunës ndaj grave.
Ervin Hoxha: Organizimin e kësaj Konference të Nivelit të Lartë, e shoh si një mundësi më shumë për të diskutuar arritjet, dobësitë, por dhe angazhimet në adresimin e barazisë gjinore, forcimin e sigurisë dhe eliminimin e dhunës ndaj grave. Dita e sotme, e shënjuar si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, është një dëshmi e përkushtimit për të ndërtuar një shoqëri të sigurt dhe të drejtë për të gjithë.
Ajo reflekton përpjekjet në kuadër të Rezolutës 1325 të OKB-së për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”. Ministria e Brendshme është plotësisht e angazhuar në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (2023 – 2027). Një ndër hapat domethënës në këtë drejtim është krijimi i “Shoqatës së Grave në Policinë e Shtetit”, një mekanizëm që jo vetëm promovon barazinë gjinore, por edhe ofron hapësira për zhvillim profesional dhe mundësi karriere për oficeret gra.
Kam patur mundësinë ta shpreh në panele të tjera, kur mora detyrën si Ministër, që do të jem mbështetës i fortë për promovimin e grave në lidership, tek strukturat me uniformë. Barazia gjinore nuk është vetëm një parim thjesht moral, por edhe një domosdoshmëri për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve në zbatimin e ligjit.
Ministria e Brendshme ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ndërtimin e kapaciteteve brenda strukturave të saj, konkretisht:
-Trajnime të vazhdueshme për oficerët e Policisë mbi dhunën me bazë gjinore, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Këto trajnime janë të lidhura me Strategjinë Ndërsektoriale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën Kundër Terrorizmit 2023 – 2025;
-Reforma në proceset e rekrutimit dhe promovimit, duke siguruar përfaqësim të barabartë të grave në të gjitha nivelet e Policisë dhe strategjive operacionale. Përfshirja e grave në Policimin në Komunitet ka rezultuar pozitivisht, në krijimin e marrëdhënieve më të forta me grupet në risk dhe në përmirësimin e zgjidhjes së konflikteve;
-Krijimin e partneriteteve me organizata ndërkombëtare e lokale, si UN Women, OSBE, dhe aktorë të shoqërisë civile, që na kanë ndihmuar të ofrojmë burime dhe trajnime të specializuara;
Shqipëria mbetet e angazhuar për të përmirësuar më tej përfshirjen gjinore në sektorin e sigurisë publike dhe për të krijuar mekanizma më të fuqishëm për eliminimin e dhunës ndaj grave, siç janë:
-Zbatimi i politikave gjithëpërfshirëse, që sigurojnë mundësi të barabarta për gratë në të gjitha nivelet e policisë;
-Fuqizimi i mbështetjes për viktimat e dhunës me bazë gjinore, përmes njësive të specializuara në Polici dhe përmirësimit të bashkëpunimit me organizatat që ofrojnë mbështetje për to.
Për të adresuar këto sfida që përmenda, dua ta theksoj se kërkohet angazhimi i të gjithë aktorëve dhe faktorëve — Qeveri, partnerë ndërkombëtarë dhe shoqëri civile.
Vetëm përmes bashkëpunimit do të mund të ndërtojmë një sektor të sigurisë më gjithëpërfshirës dhe më efikas. Së bashku, mund të sigurojmë që barazia gjinore dhe eliminimi i dhunës ndaj grave të mos jenë thjesht synime, por realitete konkrete në çdo aspekt të jetës dhe shoqërisë sonë.
/tvklan.al
/tvklan.al