Me 68 ndeshje me kombëtaren dhe 10 gola të shënuar, Igli Tare e ka një peng në karrierën e tij te kombëtarja kuqezi. Ai kurrë nuk është përballur me Italinë.

Në një intervistë për “Gazzeta de lo Sport”, 50 vjeçari e quan një ëndërr të parealizuar. Në Itali, ai ka luajtur thuasje gjysmën e jetës, ndësa vendin e konsideron si shtëpinë e dytë. Ai ka luajtur te Breshia, Bolonja e Lacio, përpara se të bëhej drejtori sportiv i bardhekaltërve.

Me të kaltrit, sfidën e së shtunës e quan “speciale”.

“Në Dortmund do të shikoni 70% të stadiumit me fanellë shqiptare. Nuk e imagjinoni dot krenarinë që ndjejnë shqiptarët. Italia ka avantazhin e vetëm se është më eksperte. Sa i përket cilësisë së lojtarëve, Shqipëria mund të luajë si e barabartë nëse menaxhon siç duhet faktorin emotiv. Duhet entuziazmi i duhur, pa e tejkaluar, se të bllokon.”

Tare mendon se në të 3 takimet e grupit, pesha do të jetë te rivalët, e kjo mund të kthehet në pikë force te kuqezinjtë.

“Shqipëria i di pikat e forta të Italisë, sidomos nga krahët. Dhe e di se duhet të bëjë ndeshjen perfekte. Intensitet të çmendur dhe aftësi për të shfrytëzuar çdo rast, por është në një moment të mirë, në kualifikuese luajti shumë mirë, duke dominuar. Vetëm duhet të rrisë nivelin e intensitetit. Në Europian do të jetë shumë më i lartë.”

Tare shikon si pikë të fortë të kuqezinjve mbështetjen e tifozëve, ndërsa pika e dobët është mungesa e minutazhit te gjysma e lojtarëve të përfaqësueses.

“Do të duhet ndeshja perfekte në të dyja fazat, por nga të gjithë! Lojtar të lidhur, pak hapësira në thellësi apo në duelet një kundër një. Broja? Ka gjithçka për t’u bërë sulmues i nivelit botëror. Por kur në fushë të tregojë përulësi dhe sakrificë, do të konfirmojë atë që pritet nga ai. Ka cilësi të rralla për futbollin e sotëm.”

Tare mendon se Xhanluka Skamaka ka shansin të bëjë diferencën tek Italia, por në duel me Berat Gjimshitin, fitimtar do të dalë mbrojtësi kuqezi. Si një ekspert në merkato tregon edhe dy emra që mund të bëjnë mirë në futbollin italian, mbrojtësi Mario Mitaj dhe mesfushori me tipare sulmuese Ernest Muçi.

Klan News