Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, akuzoi edhe njëherë bashkinë e Tiranës për mungesë transparence në hartimin e buxhetit të vitit 2009.

Nga Lezha, ku mori pjesë në ceremonitë me rastin e 565-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, Meta e krahasoi mënyrën e hartimit të këtij buxheti me atë të bashkisë së Lezhës, e cila drejtohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ilir Meta: Mendoj se kjo kërkon padyshim një reflektim të të gjithëve dhe mbi të gjitha një transparencë për taksat e qytetarëve atje. Nuk besoj se ju këtu në Lezhë keni ndonjë problem sepse siç e dini këtu në Lezhë kryetari i bashkisë së Lezhës bashkëpunon ngushtë dhe është shumë transparent me të gjithë këshilltarët”.

Buxheti i Bashkisë së Tiranës hapi debate të forta, pasi këshilltarët demokratë dhe ata të LSI-së e rrëzuan atë disa herë për mungesë transparence, por pavarësisht se kaloi në mbledhjen e fundit, mes një amullie të krijuar gjatë numërimit të votave, ai u rikthye sërish në këshill nga prefekti Ruzhdi Keci, nën argumentimin se janë konstatuar shkelje ligjore./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle