Lajme Arkiva 2004
Ish kryeministri Ilir Meta i është drejtuar me një letër Presidentit të Republikës, kryetarit të Parlamentit, Prokurorit të Përgjithshëm, nënkryetareve të parlamentit, kryetarit të komisionit të rendit dhe SHIH-it kryetarit të komisioni të ligjeve si edhe kryetarit të Shërbimit Informativ dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Në këtë letër Meta bën të ditur se kryeministri aktual Fatos Nano në përpjekje për të eliminuar kundërshtarët politik në parti dhe vend, përveç përdorimit të pushtetit po përdor edhe metoda kriminale policeske duke dhunuar Kushtetutën.
“Pas emërimeve të dyshimta, -shprehet në letrën e tij ish kryeministri Meta, në krye të dikasterit të rendit të njerëzve që përfaqësojnë krimin ekonomik të lidhur me kryeministrin, ditët e fundit ai ka urdhëruar sipas burimeve tepër të besueshme që dispononj, kryeinspektorin e tij pranë Shërbimit Infromativ Irakli Koçollari dhe drejtorin e policisë kriminale Sokol Bizhgën për të përdorur Drejtorinë e Antiterrorit pranë Shërbimit Informativ dhe segmente të policisë së shtetit për të organizuar provokime, incidente e sajesa politike, deri edhe akte terroriste ndaj meje, bashkëshortes sime deputetes Monika Kryemadhi si dhe ndaj bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe të afërmve të mi”.
“Por porositë e fundit të zotit Nano për zotin Koçollari zotin Toska dhe zotin Bizhga, të emëruar në këto pozicione për shkak të lidhjeve personale dhe të dyshimta me kryeministrin aktual, jo vetëm që do të kishin pasoja të paparashikueshme politike, por do të komprometonin rëndë këto institucione dhe demokracinë në vend”, shprehet në letrën e tij ish kryeministri Meta.
Letra e ish kryeministrit është informuese, por kërkon nga autoritetet që u është drejtuar të ushtrojnë detyrimet e tyre kushtetuese për të parandaluar akte të tilla kriminale dhe destabilizuese, i dhe për të vënë para përgjegjësisë këta persona të papërgjegjshëm. Me këto fjalë mbyllet letra e ish kryeministrit Meta. Ndërkohë që menjëherë pas kësaj letre ka reaguar edhe zëdhënësi i kryeministrit Nano, Aldrin Dalipi.
Aldrin Dalipi: Kjo çështje më duket e çuditshme dhe më keq akoma më duket absurde, e theksoj këtë. Mesa duket individë si ish kryeministri, për të ruajtur protagonizmin e vetë në skenën politike shqiptare, janë gati të paguajnë çdo çmim qoftë edhe duke u përpjekur me të gjitha mënyrat, apo tentuar të mbajnë peng stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. Por unë ju garantoj që realiteti është krejt i ndrysëm./tvklan.al