Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ish-ministri i Jashtëm Ilir Meta ka kërkuar të marrë pjesë në fushatën elektorale për të arritur një fitore të PS, këtë propozim ai e ka shprehur në takimin me drejtuesin e PS së Tiranës Musa Ulqini. Ai mendon se PS është në gjendje jo vetëm të fitojë zgjedhjet lokale, por edhe të marrë një mandat katërvjeçar.

Pas takimit Meta i është përgjigjur pyetjeve rreth situatës më të undit të votimit në parlament, ku nga kryeministri Nano është akuzuar se vetëm 4 apo 5 vetë kanë votuar kundër nga grupi i Partisë Socialiste.

Ilir Meta:- “Zoti Nano është i lirë, si njeri me karakter që është dhe e njohin të gjithë shqiptarët, të kërkojë votëbesim në parlament dhe në qoftë se merr më shumë sesa 30 vota atëherë ai është shumë i përkrahur dhe i mbështetur që të rrijë kryeministër”.

Aleancave me opozitën dhe asaj akuze që kryeministri Nano ka ngritur mbi ish-zëvendësin e tij Meta, se ai ka bashkuar votat me Berishën, Meta i përgjigjet.

Ilir Meta:- “Zoti Nano është në një krizë shumë të madhe morale, politike, psikologjike. Sa i takon bashkëpunimit me Berishën, mos harrojmë së është pikërisht Fatos Nano, i cili bashkëpunoi ngushtësisht me zotin Berisha gjoja në emër të luftës kundër parregullsive të ish-kryetarit të SHISH Fatos Klosi, por me qëllimin kryesor për të manipuluar një fakt të madh historik, një turp të madh historik, për Berishën dhe për Nanon, që është ai i 14 Shtatorit, për të justifikuar sulmin e Berishës ndaj institucioneve dhe për të justifikuar largimin e turpshëm të Fatos Nanos nga vendi dhe nga mbrojtja e institucioneve. Është Nano ai që bënë teatër me Berishën dhe që kujton, se mund ta hanë edhe socialistët edhe shqiptarët, që bën sikur zihet ditën dhe që puthet dhe merret vesh shumë mirë natën”.

Ish-ministri i jashtëm dhe zv/kryeministri ka akuzuar Nanon, për “fatosizimin” e PS, një model ky i dështuar, po kështu dhe veprimet me bazën.

Ilir Meta:- “Tashmë ai e ka shpallur hapur kursin e tij për “fatosizimin” jo vetëm të PS, por edhe për “fatosizimin” e shoqërisë shqiptare, të shtetit, të institucioneve, duke u përpjekur për të risjellë në Shqipëri, një model tashmë të dështuar dhe të papranueshëm autoritarist, duke u përpjekur për të eliminuar demokracinë e brendshme të PS”.

Përsa i takon shqetësimit të disa rezolutave të dala nga drejtues të degëve të PS, Meta shprehet.

Ilir Meta:- “Dua t’ju sigurojë juve, se vullnetarët e Fatosit, nuk mund ta kthejnë PS në vitin 90, se ata përfaqësojnë njerëz dhe krijesa të degraduara moralisht, politikisht, kjo më bind akoma më shumë kur në emër të tyre del e flet një deputet si Mezan Malaj, i cili nuk mund të flasë në emër të socialistëve të Vlorës, ai mund të flasë në emër të trafikantëve të Vlorës”.

Pas shumë përpjekjeve për normalitet, ish-ministri i jashtëm sheh uzurpim të pushtetit nga Nano. Ai tashmë është i detyruar t’i drejtohet opinionit dhe elektoratit, po kështu edhe aleatëve.

Ilir Meta:- “Unë jam i lirë për t’ju drejtuar edhe opinionit socialistë edhe opinionit publik, ku zgjidhjet gjithmonë i shikojë brenda mazhorancës dhe jam i sigurt që mazhoranca është në gjendje të krijojë dhe 20 qeveri më të mira se kjo qeveria e zotit Nano dhe jam i bindur se duke bashkëpunuar edhe me aleatët tanë, të cilët politika e Nanos i ka përçarë, siç janë dhe PSD, apo dhe parti të tjera, ne jemi në gjendje, jo vetëm që të qeverisim shumë më mirë, por njëkohësisht jemi në gjendje jo vetëm të fitojmë zgjedhjet vendore, por dhe të marrim një mandat të ri katërvjeçar”.

Së fundi zoti Meta ka deklaruar se nuk do të largohet nga PS.

Ilir Meta:- “Një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur, sepse edhe modeli që ata kanë projektuar për të instaluar një regjim personal, korruptim të Fatos Nanos, ka për të dështuar dhe do të dështojë për shkak të qëndresës së PS, për shkak të gjithë atyre përfaqësuesve të saj në qendër dhe në të gjithë Shqipërinë, që nuk mund të lejojnë më kthimin 13 vjet mbrapa”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti