Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, hodhi poshtë të gjitha mundësitë për largimin e tij nga qeveria, apo tërheqje nga kritikat e bëra ndaj kryeministrit Fatos Nano.

Gazetari:- Zoti Meta, ka pasur një deklarim të përforcuar të zotit Nano, mbi largimin tuaj nga qeveria, ose për ndryshimin e qëndrimit ndaj kritikave që keni bërë.

Ilir Meta:- “Nuk kam ndërmend të kthehem mbrapa në qëndrimet e mia të bëra shumë qartë edhe në kryesinë e PS, por edhe pas mbledhjes së saj dhe rezolutës së miratuar. Çdo përpjekje për të përqendruar energjitë mbi tërheqje apo dorëheqje, janë përpjekje për të mos zbatuar rezolutën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, janë përpjekje për të mos u përqendruar në zgjidhjen e shumë shqetësimeve të ngritura, parimore, një pjesë e mirë e të cilave janë të përfshira dhe në rezolutë. Janë përpjekje për të spostuar angazhimin për zbatimin e rezolutës, në konflikte personale”.

Meta ka thënë, se nuk ka marrë asnjë ftesë nga çifti Nano, për të drekuar një ditë më parë me ministrat.

Ilir Meta:- “Nuk më duket e denjë që të jap përgjigje për pjesëmarrje apo jo në dreka, apo në darka, por dje nuk kam pasur asnjë ftesë nga askush për drekë”.

Deklarata e zotit Meta ishte përgjigje për kërkesën e përsëritur të kryeministrit Nano për largim nga qeveria, ose tërheqje nga kritikat./tvklan.al