Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Edi Rama ka vazhduar turin e takimeve të tij elektorale sot paradite në njësinë bashkiake nr.7, banor i së cilës është edhe Ilir Meta. Ish-kryeministri ka inspektuar së bashku me kryebashkiakun Rama këtë zonë, e njohur për ndërtimet e shumta në këto 13 vitet e fundit.

Ilir Meta:- “Dua të shpreh besimin, se elektorati i Tiranës do të votojë për ndryshimet që kanë ndodhur dhe që duhet të vijojnë dhe jo për premtimet të cilat janë të përmasave fantastiko-shkencore dhe që sigurisht nuk mund të konkurrojnë me ndryshimet”.

Edi Rama:- “Unë besoj se mijëra punëtorët e ndershëm të këtyre zonave që kanë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtojnë shtëpitë e tyre me mund, e me sakrifica, janë ata që e kuptojnë më së miri, se Tirana europiane do ndërtojë me mund e sakrifica, e ashtu si një shtëpi ka kërkuar vite e vite për t’u ngritur ashtu dhe qyteti do të kërkojë më shumë se tre vjet për të qenë ai që të gjithë ai që ne duam të jetë”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka