Qeveria duket e vendosur për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend, duke ndjekur këtë vit një politikë më agresive në drejtim të uljes së borxhit publik dhe deficitit buxhetor.

Kështu u shpreh kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive dhe Tavaneve Buxhetore për vitin 2011-2013.

Kryeministri Berisha tha, se qeveria fale emetimit për herë të parë të eurobonove do të likuidojë në muajt në vijim kredinë sindikale prej 200 milion eurosh të marrë një vit më parë.

Sali Berisha: “Ky vendim i eliminimit të kësaj kredie dhe nga ana tjetër adaptimi i një politike më agresive në zvogëlimin e deficitit buxhetor dhe zvogëlimin progresiv të borxhit publik të vendit, kërkon një përqasje të re ndaj të gjitha parashikimeve të bëra. Kjo është e domosdoshme për të patur një stabilitet makroekonomik të garantuar, por edhe një reputacion Evropian dhe botëror të domosdoshëm për besimin e investitorëve nga mbarë bota”.

Shkurtimi i shpenzimeve veçoi kryeministri Berisha nuk do të prekë fushat prioritare, si rrogat dhe pensionet, investimet në infrastrukturë, fondet e arsimit dhe ato për shëndetësinë.

Sali Berisha: “1. rrogat dhe pensionet, ajo politikë është e pa prekshme. Shpenzimet do ulen në masën e parashikuar. 2. Nuk mund të preken akset kombëtare që janë përbëjnë dhe betejën tonë në këto katër vite për transformimin e Shqipërisë. Rruga e Arbërit, autostrada Tiranë-Elbasan, Korçë-Qaf Plloçë dhe boshti i jugut do të ndërtohen me çdo kusht”.

Respektimi i parametrave makroekonomik tha Kryeministri është një mesazh serioz që i dërgohet komunitetit botëror të biznesit për nxitjen e investimeve drejt vendit tonë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro